Liqene akullnajore mbi 1700 m lartësi, mbi rrafshnaltën e malit të Balgjajt, mes Dibrës dhe Matit.
Liqenet e Kacnisë ndodhen në majë të një kurrize, të ngjeshur mbi rrafshnaltën e malit të Balgjajt, gjysma e të cilit shtrihet në territorin e Dibrës dhe shpati perëndimor në Mat.
Kacnia është pjesë e zonës së Katër Grykëve, në pjesën lindore të krahinës. Shtegu ngjitet mes grykave me pasuri të rrallë natyrore.
Bimësia e dendur e shkurreve, lisave, ahut dhe pishës është manteli i malit, ndërsa në majë shfaqen oaze liqenesh që e pasqyrojnë malin përmbys, si një tablo surreale.
Liqenet e Kacnisë ndodhen në shpatin lindor të malit të Balgjajt, i njohur edhe si mali i Allamanit në kufi me Matin, në jugperëndim të fshatit Kacni, prej të cilit marrin emrin, në një lartësi mbi 1700 m.
Ato ndodhen në cirqe të mëdha akullnajore dhe janë liqene me origjinë akullnajore, mesatarisht 50–100 m të gjata dhe 20–35 m të gjera.
Sipërfaqja e secilit arrin disa hektarë dhe thellësia kalon 5–6 m. Uji është i kristaltë dhe i ftohtë; në dimër sipërfaqja ngrin. Liqenet janë të pasur me jetë dhe formojnë një ekosistem interesant liqenesh alpine.
Pyjet halore përreth e pasurojnë shumë peizazhin. Liqenet kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.